Maqedoni

Hoxha i përgjigjet Mickoskit: Nëse do të heqësh badenterin atëherë duhet RMV ta bëjmë shtet binacional!

Shpërndaje

Duke komentuar deklaratën e kreut të VMRO-DPDMNE-së për gatishmërinë e tij për të diskutuar rreth heqjes së 20%-shit, badenterit dhe balancuesit nga Kushtetuta, zv/kryetari i Besës, Arjanit Hoxha thotë se këto janë çështje të ndara nga njëra tjetra. Sipas tij, kjo temë nuk mund të shndërrohet në pazar politik.

“Heqja e termit “20%” nga Kushtetuta e vendit lidhet drejtpërdrejt me përkufizimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka aspak të bëjë me balancerin apo me badenterin. Prandaj edhe qëndrimi politik i partive maqedonase duhet të jetë pikërisht për këtë çështje. Nëse tema e ndryshimeve kushtetuese shndërrohet në pazar politik të llojit si e ka thënë z. Mickoski atëherë edhe ai por edhe partitë tjera maqedonase duhet të jenë të përgatitur për të hapur edhe shumë tema tjera që do avanconin të drejtat e shqiptarëve në nivel të shtetit binacional pasi që edhe numrat e regjistrimit të popullsisë tregojnë këtë realitet shoqëror të vendit”, thotë Hoxha.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Mickoski, një ditë më parë për Alsat, deklaroi se është koha për ndërtimin e një shteti qytetar, pa kuota përfaqësimi në baza etnike.

“Jam i gatshëm të flasim për gjithçka, edhe për një njësi zgjedhore, për heqjen e përqindjeve në Kushtetutë, për heqjen e badenterit, për heqjen e balancuesit, dhe të ndërtojmë një shtet qytetarë i cili do të bazohet në vlerat e vërteta. Unë dua ta shoh Maqedoninë si shtet të qytetarëve të barabartë për të gjithë ku nuk do të garohet për shkak të kuotës ose përqindjeve por për njohuri, aftësi dhe kompetenca”, tha Mickoski.