RajoniTop Lajme

Kosova dhe Serbia pa marrëveshje të re për targat e automjeteve

Shpërndaje

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi ka bërë të ditur se pas dy ditësh të negociatave në Bruksel, nuk është arritur ndonjë marrëveshje e re për çështjen e targave midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim në rrjetet sociale, Lajçak ftoi që kryenegociatorët, atë Kosovës Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq, të takohen edhe njëherë gjatë ditëve në vijim për t’u pajtuar me një marrëveshje të re për targat.

“Sot nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat e automjeteve. Ftoj kryenegociatorët që të takohen përsëri në ditët në vijim që të pajtohen për rrugën përpara dhe të vazhdohen diskutimet mbi çështjet e tjera aktuale”, theksoi Lajçak.

Lajçak pas takimeve me palët që filluan të mërkurën, u bëri thirrje aktorëve të përmbahen nga veprimet që rrezikojnë sigurinë e vendeve, meqë marrëveshja në fuqi e targave skadon sot (21 prill).

“Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, theksoi Lajçak.

Pas takimit të palëve, kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi konfirmoi se nga bisedimet nuk pati marrëveshje, meqë “fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”.

Më 30 shtator të vitit 2021, pas disa ditësh që u përcollën me bllokada, tensione e protesta në pjesën veriore të vendit, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje të përkohshme në Bruksel për çështjen e targave, ku të dy vendet me letër ngjitëse mbulonin simbolet shtetërore në kalimet kufitare të automjeteve në vendet përkatëse.

Marrëveshja pasoi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 20 shtator për reciprocitet të targave me Serbinë.

Me këtë masë çdo automjet i Serbisë për të hyrë në Kosovë duhej të merrte targa provuese të cilat ishin valide për 60 ditë dhe kushtonin pesë euro, ashtu sikurse qytetarët e Kosovës kur hynin në Serbi paguanin për targa provuese me validitet 60-ditësh.