Ku “humbi” Alternativa? Sali: Shprehim qëndrime si Qeveri, jo si parti
Sa ishin në opozitë, ishin të zëshëm dhe kritik. Tani në pushtet pak po dëgjohet emri i partisë Alternativa. Edhe përkundër zhvillimeve të shumta në vend, partia e Afrim Gashit pothuajse për asnjë çështje nuk ka shpreh qëndrimin e saj si parti politike.
Sot e pyetëm sekretarin e përgjithshëm të Alternativës, Bekim Sali se ku po gjendet Alternativa gjatë gjithë këtyre zhvillimeve në vend?
“Ju e dini se ne jemi pjesë e Qeverisë dhe përmes institucioneve ne japim deklaratat tona si përfaqësues. Lidhur me grevën e mjekëve amë unë isha përfaqësues i cili duheshte të jap deklaratë dhe nga ana tjetër lidhur me grevën e punonjësve arsimor e kemi zëvendësministrin i cili është transparent dhe i shpreh qëndrimet tona si parti politike”, tha Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.
100 ditë e më shumë që kur Alternativa është pjesë e Qeverisë, në vend janë shpallur rezultatet e Regjistrimit, por nga partia e Gashit nuk ka pasur asnjë koment. Kriza ekomomike me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, greva gjithandej të administratorëve dhe mësimdhënësve për paga më të larta, por partia e Gashit nuk ka dal me qëndrim.
“Qëndrimi jonë është përmes institucioneve shtetërore. Është i njëjti qëndrim. Nuk mund të kemi qëndrim të kundërt si parti dhe një qëndrim tjetër si pjesë e Qeverisë”, pohoi Bekim Sali, sekretar i përgjithshëm i Alternativës.
Por ja çfarë deklaroi 1 muaj pas hyrjes në Qeveri, kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
“Ne duhet të jemi parimor. Ne nuk duhet t’i ndryshojmë qëndrimet në bazë të asaj a jemi në Qeveri apo jemi në opozitë. Nëse jemi parimor dhe i themi gjërat me emrin e tyre të vërtetë, nëse jemi dakord se bixhozi është i dëmshëm për shoqëri a je në opozitë a je në Qeveri duhet ta sulmosh atë ves”, pohoi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës (23.02.2022).
Megjithatë partitë tjerë në pushtet, LSDM dhe BDI edhe përkundër përfaqësuesve të tyre në Qeveri, nëpërmjet kumtesave e konferencave për media, vazhdimisht kanë mbrojtur qëndrimet e Qeverisë.
Ndryshe edhe në faqen e Facebook-ut të Alternativës janë të publikuara vetëm promot e emisioneve ku marrin pjesë ministrat e Alternativës, ndërsa na ueb faqen e tyre lajmi i fundit që është postuar është më 12 janar kur Gashi ka takuar presidentin shqiptar Ilir Meta.
Alternativa kur u bë pjesë e Qeverisë shpalosi 9 pikat e programit që firmosi me kryeministrin Zaev, por deri tani nuk kanë dalë për tu lavdëruar se njërën prej tyre e kanë realizuar.