Shuhet optimizmi i Bujar Osmani për çeljen e negociatave në qershor

Shpërndaje

Informimi i dobët apo menaxhimi i dobët i procesit të negociatave janë arsyet e deklaratave kontradiktore të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, lidhur me dialogun me Sofjen?! Ministri njoftoi fillimin e shumëpritur të negociatave me Brukselin në mesin e vitit të kaluar, por një vit më vonë shpresat u shuan sërish.

“Unë mendoj se ka mundësi serioze për të zgjidhur mosmarrëveshjen deri në fund të këtij viti dhe të gjithë janë të angazhuar”, kishte thënë Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

“Mund ta ndaj me ju ndjenjën se besoj se jemi shumë pranë një zgjidhjeje për të gjetur zgjidhje të pranueshme në mënyrë reciproke”, ishte shprehur sërish Osmani.

“Ne jemi zgjedhur për të udhëhequr, nuk jemi zgjedhur për të ndjekur emocionet për të fituar pikë politike”, ishte një deklaratë tjetër e ministrit.

Osmani para opinionit ka përllogaritur edhe nëse zgjidhja e mundshme do të gjendet në votim para deputetëve, për këtë insistoi edhe presidenti Pendarovski.

“Qeveritë duhet ta miratojnë dhe me këtë ne besojmë se ai udhërrëfyes, ai protokoll është miratuar”, ishte shprehur ai.

“Asgjë nuk mund të ndodhë pa kaluar nëpër të gjitha filtrat e miratimit dhe natyrisht në fund të marrë miratim të Kuvendit”, kishte thënë Osmani.

Sa i përket asaj se çfarë është saktësisht në tryezë dhe cila është kërkesa kryesore bullgare për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian, diplomati i parë e mohon sërish veten.

Ai siguroi se Sofja nuk ka kërkuar që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës.

Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme

GAZETARI: A nuk e kanë kërkuar bullgarët një gjë të tillë?

Osmani: Nuk kam dëgjuar zyrtarisht që ka …

GAZETARI: Jo, jo, në bisedat që ju si ministër në ndonjë nga takimet…

Osmani: Jo, jo, nuk kemi biseduar për këtë.

GAZETARI: Për përfshirjen e Bullgarëve në Kushtetutë, a do të jetë pjesë e kuadrit të negociatave?

Osmani: Nuk mund ta komentoj këtë për momentin, por pikërisht për këtë po diskutojmë.

Osmani, ndërkaq, priste përgjigje nga Sofja për një propozim-dokument me zgjidhje të pranueshme për Shkupin.

“Ka një dokument të tillë që ne jemi të gatshëm ta pranojmë, por derisa të marrim përgjigje se është dokument i pranueshëm për Republikën e Bullgarisë, mendoj se ato parakushte për të informuar deputetët nuk janë pjekur”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Gjatë takimit në shkurt, pala bullgare i njoftoi përfaqësuesit e RMV se propozimet e tyre ishin të papranueshme dhe se bisedimet do të vazhdojnë.

Sipas homologut të tij bullgar, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka mosmarrëveshje, një gjë e ka thënë Osmani, tjetër gjë kanë thënë ekspertët e Ministrisë.

“Vërehet divergjencë, të cilën e shohim në narrativën në nivel politik nga ana e ministrit Bujar Osmani, i cili tregon konstruktivitet, me qëndrimet në nivel ekspertësh të Ministrisë së Punëve të Jashtme të RMV-së”, thuhet në Procesverbalin e takimit Gençovska-Varheji.

“Mendoj se nuk është korrekte ai tekst të paraqitet ndryshe. U fol për dallime në Bullgari, mes Ministrisë së Jashtme bullgare dhe qeverisë së tyre, jo dallime në vendin tonë”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Ministri i Jashtëm dje mbajti konferencë për procesin e afrimit të vendit me BE-në – por kësaj radhe në vend të optimizmit foli për një re që ka rënë mbi negociatat pas provokimit nga pala bullgare me hapjen e Vanços, Qendra e Kulturës Mihajlov në Manastir. Deri në samitin e qershorit kanë mbetur më pak se dy muaj dhe Osmani vlerësoi për herë të parë se gjasat janë të mëdha që Shqipëria t’i nisë e vetme negociatat./ Alsat.mk