Lazim Destani pranoi në shenjë mirënjohje Monografinë e Universitetit të Tetovës
Filantropi dhe pronari i kompanisë prestigjioeze ndërkombëtare, Ecolog, Lazim Destani sot priti në takim Prorektorin për Arsim të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ametin.
Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe kompanisë Ecolog që të mbetet prioritet, me këta të fundit që veprimtarinë e saj e zhvillojnë në mbarë botën dhe kanë qenë mbështetës pa rezerv për studentët dhe universitetin në përgjithësi.
Vullnet Ameti në shenjë mirënjohje i dhuroi Monografinë e Universitetit të Tetovës, Lazim Destanit për kontributin e dhënë ndër vite për zhvillimin e Universitetit, mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj themeluesit dhe Rektorit historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, në misionin e tij titanik për arsimin e lartë në gjuhën shqipe, projektit më madhështor në historinë moderne të kombit shqiptar.
Lazim Destani e vlerësoi lartë punën e realizuar për botimin e kësaj monografie, sikundër shprehu gatishmërinë e tij të vijojë bashkëpunimin dhe të ofrojë ndihmën e kompanisë që ai drejton për përparimin e kësaj qendre të arsimit të lartë në gjuhën shqipe – Universitetit të Tetovës.