Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet me dyer të mbyllura për trazirat në Kuds

Shpërndaje

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) këtë javë do të mblidhet për të diskutuar mbi tensionet në Kuds, raporton Anadolu Agency (AA).

Burime diplomatike njoftuan se takimi me dyer të mbyllura pritet të mbahet gjatë ditës së nesërme dhe ai vjen me kërkesë të Kinës, Francës, Irlandës, Norvegjisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe SHBA-së.

Tensionet në territoret palestineze janë rritur që nga fillimi i muajit prill, mes fushatave të përsëritura të arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Të premten, dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kuds.

Inkursionet e përditshme të kolonëve në pikën e nxehtë për të kremtuar festën e Pashkëve hebreje e kanë irrituar më tej situatën.

Xhamia Al-Aksa për muslimanët është vendi i tretë më i shenjtë në botë. Këtë zonë hebrenjtë e quajnë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se në kohët e lashta ishte vendi i dy tempujve hebrenj.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.