Me nderime të larta shtetërore, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim Presidentin e Letonisë, Egils Levits
Me nderime të larta shtetërore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim presidentin e Letonisë, Egils Levits, përcjell albazone media.
Pas takimit të tyre, të dy presidentët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media ku kanë folur rreth takimit dhe çështjeve aktuale në rajon dhe Evropë.
Postimi nga Vjosa Osmani:
Sot mirëprita me nderimet më të larta shtetërore Presidentin e Republikës së Letonisë, z. Egils Levits. 🇽🇰 🤝 🇱🇻
Dy popujt tanë ndajnë një të kaluar të dhimbshme, nën regjime shtypëse dhe një lufte të gjatë për liri. Prandaj sot, si dy vende të lira dhe të pavarura, partneriteti jonë është i bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe në përkushtimin tonë për të kontribuuar për në një Evropë më paqësore dhe më të sigurt.
Populli jonë është mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Letonisë ndër vite. Kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Levits në rrugëtimin tonë drejt BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe e falenderoj për konfirmimin e mbështetjes së tij në këtë drejtim.
Ne qëndrojmë të përkushtuar që të thellojmë bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen, dhe fusha tjera në dobi të të dy popujve tanë.