Presidentja Osmani: Beteja e Koshares, vula e lirisë së munguar
Duke e vlerësuar lart kontributin e të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së për lirinë e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se 9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës.
“Kjo ishte ndër betejat më të lavdishme të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më saktësisht nga Grupi i Tretë Operativ, në përbërjen e të cilit gjendeshin Brigadat 131 dhe 134 dhe batalioni Diversant-Vëzhgues, të cilat më vonë u shkrinë në Brigadën 138”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, kjo betejë përkon edhe me ditën e Kushtetutës së Kosovës, e cila simbolizon synimin për të cilin u flijuan në Kosharen e lavdishme heronjtë Salih Çekaj, Agim Ramadani e shumë dëshmorë të tjerë, të cilët iu bashkuan përjetësisë.
“Beteja e Koshares tregoi po kështu se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për të janë më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak. Prandaj, sot, ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të re. Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se çmimi i lirisë është i lartë. Por, po kështu tregoi se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme”, theksoi Presidentja Osmani.
Më tej, në fjalimin e saj, Presidentja Osmani tha se Kosharja ngjalli shpresën për liri dhe e plotësoi simbolikën e heqjes përfundimtare të barrierave të hekurta në Evropën e shekullit XX.
“Kosharja qe vula e lirisë së munguar në tokat shqiptare. Sakrifica e bijve e bijave shqiptare nga të gjitha trojet dëshmoi për papajtueshmërinë dhe gatishmërinë e shqiptarëve për t’i luftuar padrejtësitë që u ishin bërë atyre përgjatë një shekulli. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Ndërkohë, ajo e rriti shpresën e mijëra të dëbuarve që vija e hekurt ishte thyer dhe kthim në tokën e të parëve ishte jo vetëm i mundur, por edhe i pashmangshëm”, tha Presidentja Osmani.
Ajo tha se bashkërendimi me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës qe hap i parë i përbashkët për realizmin e ëndrrës për liri.
“Vizioni euroatlantik i Presidentit Rugova dhe sakrifica e bijve e bijave të UÇK-së po jetësohen në Kosovën e lirë, institucionet e së cilës po punojnë fort që vendi të konsolidohet fuqishëm në bashkësinë e vlerave perëndimore. Ky përcaktim yni strategjik dhe ky vizion yni do të ishte i pamundur pa sakrificën e mijëra bijve e bijave, prandaj kujtimi për ta do të jetë i përhershëm. Ai do të përtërihet jo vetëm në përvjetorë si ky, por në të gjithë ecjen tonë. Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe qindra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë”, ka përfunduar Presidentja Osmani.