Shaip Kamberi për herë të dytë fiton mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë
Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, kryetari i koalicionit të Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka arritur votat e nevojshme që të bëhet deputet në Parlamentin e Serbisë.
Për herë të dytë, Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb.
Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ri-përsëritje të votimit, pasi sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të “pasivizimit të adresave të shqiptarëve”.
Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13 mijë vota.
Për votimin e Kamberit, kishte bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Serbisë.
“Për dy mandate përfaqësimi Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi”, ka deklaruar kryeministri.