Shkup, lokalizohet zjarri në ish-fabrikën “Treska” (Video)
Është lokalizuar zjarri që ka shpërthyer në afërsi të qendrës së qytetit Shkupit në ish-fabrikën “Treska”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në një deklaratë për media tha se zjarri në ish-fabrikën e mobiljeve është lokalizuar, duke shtuar se 55 zjarrfikës kanë marrë pjesë në shuarjen e tij.
Arsovska shtoi se ka dyshime se zjarri është vënë me qëllim.
Zjarri ka rënë në mesditë dhe zjarrfikësit për dy orë kanë tentuar të shuajnë atë.
Ekipet e Ministrisë së Brendshme dhe Kryqit të Kuq janë në terren, ndërsa deri më tani nuk ka informacione për persona të lënduar.
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, ka thënë para mediave se qytetarët duhet të shmangin këtë pjesë të qytetit për ta mbajtur zonën të hapur për zjarrfikësit.
Foto: Admir Fazlagikj – AA