Arifi: Po ndodh spastrim etnik në Luginën e Preshevës

Shpërndaje

Kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi, i cili është kryetar i Komunës së Preshevës është shprehur se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar.

Në një intervistë për Ora News, ai tha se nuk u lejohet që të përdorin simbole kombëtare, ndërsa shtoi se vitet e fundit në Luginën e Preshevës, po bëhet spastrim etnik.

Shqiprim Arifi: Gjithmonë kanë qenë gjithmonë të diskriminuar. Shqiptarët nuk kanë të drejtën që të përdorin simbolet kombëtare. Nuk kemi tekste shkollore të mjaftueshme. Kemi një përmirësim të viteve të fundit, por edhe ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar. Nuk jemi të përfshirë në strukturat shtetërore. Popullatat është 97% shqiptare ndërsa serbët janë 3%. Vitet e fundit nuk kemi pasur investime nga qeveria në fjalë. Po ndodh një spastrim etnik në luginën e Preshevës.

Ai tha se qeveria në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të jenë në alarm dhe të marrin hapa për veprime konkrete në Luginën e Preshevës.

Shqiprim Arifi: Kjo është koha ku qeveritë shqiptare, si ajo e Tiranës dhe e Prishtinës duhet të jenë të alarmuar dhe duhet të marrin hapa për të përpiluar veprime konkrete për Luginën e Preshevës. Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës e kanë neglizhuar Preshevën.