RajoniTop Lajme

Bisedimet Putin-Vuçiç/ Marrëveshja 8-vjeçare për gazin, Serbia e merr me çmim të lirë nga Rusia

Shpërndaje

Serbia do të ketë një çmim shumë të favorshëm për gazin rus dhe se një marrëveshje për furnizime me këtë lëndë, që do të nënshkruhet, do të jetë trevjeçare, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Duke folur për mediat më 29 maj, Vuçiç tha se ai zhvilloi një bisedë të mirë telefonike me presidentin rus dhe se të dy biseduan për një sërë çështjesh. Por, siç tha Vuçiç, gjëja më e rëndësishme për Serbinë është se janë pajtuar për elementet kyçe të marrëveshjes së re për furnizimin me gaz, që do të ketë kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Ai tha se këto elemente janë shumë të favorshme për Serbinë dhe formula që është përdorur është sikurse ajo që është përdorur deri më tani, pra që çmimi të jetë “shumë i favorshëm”. Marrëveshja aktuale për furnizimin me gazin rus skadon më 31 maj.

Serbia kryesisht është e varur nga Rusia në sektorin e energjisë dhe në tregun e gazit dhe naftës në Serbi, monopol ka krijuar kompania ruse, Gazprom.

Gazpromi, drejtpërdrejtë apo përmes kompanive kontraktuese, është furnizuesja kryesore e naftës në Serbi. Po ashtu, kjo kompani ruse është e vetmja furnizuese e gazit në Serbi dhe ka në pronësi tubacionet e gazit që sjellin këtë lëndë nga Rusia në Serbi.

Furnizimet me gaz ishin tema kryesore e vizitës së Vuçiçit në Rusi më 25 nëntor të vitit 2021.

Pas takimit me Putinin, Vuçiç deklaroi se në gjashtë muajt e ardhshëm çmimi i gazit rus për Serbinë nuk do të ndryshojë dhe do të jetë 270 dollarë për 1,000 metra kubikë.

Vuçiç më pas deklaroi se kishte diskutuar me Putinin për marrëveshjen e re, por shtoi se nuk do të jepte detaje derisa marrëveshja të nënshkruhej. Megjithatë, ai theksoi se Serbia do të ishte “e kënaqur” dhe se çmimi do të ishte “i arsyeshëm”.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin kishte deklaruar se “një zgjidhje e pranueshme” do të arrihej për çmimin e gazit rus që i shitet Serbisë.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke bërë që Perëndimi të vendoste sanksione të ashpra ndaj Moskës. Serbia është i vetmi shtet në rajon që ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Finlanda konfirmoi më 21 maj se Rusia kishte pezulluar gazsjellësin, pasi ky shtet nordik refuzoi që të paguante me rubla për gazin e blerë nga Gazpromi.

Rusia po ashtu ka suspenduar furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, të cilat po ashtu kanë refuzuar që të paguajnë me rubla për energjinë ruse./ REL