Rajoni

Kurti, kërkesë Lajçakut nga Amerika e largët: Trego pse dështoi marrëveshja për targat

Shpërndaje

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, që u mbajt sot në Bruksel nuk solli marrëveshje lidhur me targat e veturave. Kryeministri i Kosovës tha se nuk e ka ndjekur nga afër takimin dhe nuk i di arsyet e mosarritjes së marrëveshjes. Për këtë, ai ka kërkuar përgjigje nga Miroslav Lajçak,përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i qeverisë së Kosovës, thotë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes.

Tha se Lajçak duhet të shpjegojë pse sot palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate për këtë temë, edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuese që të arrijnë një marrëveshje.

“Unë nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, mirëpo besoj se ndërmjetësuesi Lajçak do të shpjegojë publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema, e di që kryenegociatori, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ por qartazi Beogradi nuk është i interesuar që të ketë marrëveshje ndërkaq ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit”, tha Kurti për RTK’në.

“I takon lehtësuesit që të sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, theksoi ai.