Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden ngushëlluan të dielën familjet e viktimave…
Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden ngushëlluan të dielën familjet e viktimave, në një qytet të mbërthyer nga pikëllimi dhe zemërimi pas ngjarjes së përgjakshme gjatë së cilës u vranë 19 nxënës dhe dy mësues.
Kjo është hera e dytë brenda muajit që presidenti viziton një qytet që është goditur nga dhuna në armë. Në fillim të këtij muaji, zoti Biden vizitoi Buffalon, një qytet në Nju Jork, ku një supremacist i bardhë hapi zjarr në një supermarket, duke vrarë 10 afrikano-amerikan.
Jashtë shkollës fillore Robb, Presidenti Biden u ndal tek një memorial me 21 kryqe të bardhë, një për secilin prej viktimave, ndërsa Zonja e Parë vendosi një buqetë me lule të bardha në nderim të tyre.
Pas vizitës tek memoriali, Presidenti mori pjesë në një meshë për nder të viktimave që u mbajt në Kishën Katolike Zemra e Shenjtë. Pranë kishës, një mësues mbante një pankartë ku shkruhej: “Zoti President, faleminderit që erdhët. Unë jam një mësues”.
Autoritetet po vijojnë me hetimet lidhur me reagimin e policisë ndaj ngjarjes, kryesisht për të hedhur dritë mbi kohën që iu desh policisë për t’u përballur me personin e armatosur, 18-vjeçarin Salvador Ramos./VOA