“Turqia nuk do të jepte dritë jeshile për anëtarësim në NATO për vendet që vendosin sanksione ndaj saj”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij nuk do të jepte dritë jeshile për anëtarësim në NATO për vendet që vendosin sanksione ndaj saj, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne nuk do t’u thoshim ‘po’ atyre që vendosin sanksione ndaj Turqisë për t’iu bashkuar NATO-s,” tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij algjerian Abdelmadjid Tebboune në Ankara.
Turqia, një anëtare e NATO-s për 70 vjet, si të gjithë anëtarët e saj, duhet të miratojë pranimin e çdo shteti të ri në aleancë.
Erdoğan kritikoi gjithashtu Finlandën dhe Suedinë se nuk kanë një qëndrim të qartë kundër grupeve terroriste.
Tentimi i Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO
Për dekada, Suedia dhe Finlanda morën një qëndrim neutral të politikës së jashtme në rajon, por lufta në vazhdim e sipër midis Rusisë dhe Ukrainës që filloi më 24 shkurt shkaktoi një ndryshim në qasjen e tyre, e tani opinioni dhe shumica e politikanëve favorizojnë anëtarësimin në aleancën e NATO-s.
Megjithatë, Suedia dhe Finlanda, të cilat kanë deklaruar synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO, nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të Turqisë, një anëtare e NATO-s për mbi 70 vjet, për ekstradimin e gjithsej 33 terroristëve.
Të premten e kaluar, duke thënë se Turqia nuk e shikon pozitivisht tentimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, presidenti Erdoğan shtoi se disa vende skandinave veprojnë në mënyrë efektive si “bujtina” për grupet terroriste.
Më herët, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu kishte shprehur rezerva për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se vendet skandinave mbështesin grupin terrorist YPG/PKK.
Në fushatën e tij terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, grupi terrorist ka qenë përgjegjës për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK.
Bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes
Duke folur për lidhjet midis Turqisë dhe Algjerisë, presidenti Erdoğan tha se gjatë vizitës së homologut të tij algjerian Tebboune të dy vendet nënshkruan marrëveshje në fusha të ndryshme, nga minierat, mjedisi, arsimi dhe kultura.
“Si dy vende që luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në kontinentin afrikan, ne jemi të vendosur të forcojmë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes”, tha Erdoğan.
Duke thënë se kanë pasur bisedime gjithëpërfshirëse për lidhjet dypalëshe, Erdoğan shtoi se lidhjet ekonomike dhe tregtare të dy vendeve forcohen çdo ditë e më shumë.
Ai tha se pavarësisht pandemisë COVID-19, vëllimi i tregtisë midis dy vendeve u rrit për 35 për qind në 4,2 miliardë dollarë.
Erdoğan tha se turizmi, bujqësia dhe siguria janë fusha të tjera të rëndësishme për të cilat dy vendet folën për një bashkëpunim më të fuqishëm.
“Vëllimi i investimeve do të zgjerohet në 10 miliardë dollarë ose më shumë”
Presidenti algjerian Tebboune tha se ai dhe Erdoğan kishin mundësinë për të përmirësuar lidhjet e rrënjosura thellë të vendeve në shumë fusha.
Ai theksoi se beson se vëllimi i investimit me Turqinë do të zgjerohet në 10 miliardë dollarë ose më shumë.
Ai tha gjithashtu se Algjeria “po konsideron marrjen e hapave të rëndësishëm (me Turqinë) veçanërisht në industrinë civile, ushtarake dhe detare.”
“Ne patëm një takim gjithëpërfshirës dhe të frytshëm me zotin Erdoğan”, tha Tebboune, duke shprehur kënaqësinë e tij që ka vizituar Ankaranë dhe që ka takuar presidentin Erdoğan.
Ai më tej tha se të dy liderët mund t’i çojnë dy vendet vëllazërore në një vend shumë më të mirë.
Përveç lidhjeve dypalëshe, Tebboune tha se ata diskutuan edhe zhvillimet rajonale, duke përfshirë Libinë dhe Palestinën.
Lidhjet turko-algjeriane
Udhëtimi i presidentit algjerian Tebboune në Turqi shënon vizitën e parë presidenciale në 17 vjet që nga ajo e vitit 2005 nga i ndjeri Abdelaziz Bouteflika.
Në vitin 2006 të dy vendet nënshkruan marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi për të përmirësuar lidhjet.
Turqia hapi ambasadën e saj në Algjeri në vitin 1963, një vit pasi vendi i Afrikës së Veriut shpalli pavarësinë e tij.
Më herët gjatë ditës, presidenti Erdoğan mirëpriti homologun e tij algjerian me një ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial në kryeqytetin Ankara.
Përpara bisedimeve dypalëshe me presidentin turk, Tebboune vizitoi fillimisht mauzoleumin e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, duke vendosur një kurorë me lule në varrin e Ataturkut.
Më pas, të dy liderët morën pjesë edhe në një ceremoni nënshkrimi të marrëveshjeve dypalëshe, bisedime dypalëshe dhe takime ndërmjet delegacioneve.