NATO vlerëson përpjekjet e Türkiye-s për eksportimin e drithërave nga Ukraina
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se i vlerëson “përpjekjet e Türkiye-s dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të gjetur zgjidhje për nxjerrjen e drithërave të bllokuara nga Ukraina”, raporton Anadolu Agency (AA).
Këto komente Stoltenberg i bëri në një prononcim për mediat pas takimit të ministrave të mbrojtjes të mbajtur në selinë qendrore në Bruksel.
Ai po ashtu tha se po bëjnë përpjekje për t’i eliminuar shqetësimet e Türkiye-s për sigurinë e saj.
“Ne mendojmë se si mund t’i trajtojmë ato (shqetësimet) në një mënyrë që do t’i mundësojë Türkiye-s të thotë ‘po’ dhe të pranojë Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të rinj. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se Türkiye mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s”, deklaroi Stoltenberg.
Shefi i NATO-s njoftoi gjithashtu se kanë përfunduar përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të organizohet në Madrid më 29-30 qershor.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’iu bashkuar NATO-s më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Por Türkiye, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.