Franca konfirmon se më 23 qershor diskutohet heqja e vizave për Kosovën

Shpërndaje

Me 23 qershor, gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do takohen në Bruksel me liderët e Bashkimit Evropian, në prag të Samitit të BE-së. Por cilat janë gjasat që të ndryshojë qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas presidentit të këtij Këshilli?

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës u është përgjigjur pyetjeve lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konfirmuar se një çështje e tillë do të trajtohet në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

MPJ franceze në një përgjigje që e ka publikuar në faqen zyrtare të saj, ka thënë se takimi i 23 qershorit do të jetë mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme.

“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, kosovarët nuk kanë qasje në vizën Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse eshte ajo? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, ka qenë pyetja drejtuar MPJ-së franceze.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera”, thuhet në këtë përgjigje.

Mes tjerash, Franca ka thënë sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, kushtet në lidhje me këtë duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”, shkruan mes tjerash.