MaqedoniTop Lajme

Pendarovski: Unë e këshilloj kryeministrin të mos shkojë në Bruksel

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski vlerëson se kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk duhet të shkojë të enjten në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që mbahet para takimit të Këshillit Evropian, në të cilin duhet të merret vendim nëse do të fillojnë negociatat inkuadruese të BE-së me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Pendarovskit, Kovaçevski nuk ka çfarë të kërkojë në Bruksel, veçanërisht që në takimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve-anëtare të BE-së, pala bullgare ka dhënë kërkesa të reja për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut.

“Unë e këshilloj kryeministrin të mos shkojë në Bruksel. Para disa ditësh kemi biseduar në këtë temë dhe këshilla ime ishte se nëse kësisoj zhvillohen punimet dhe nëse bullgarët dje i kanë dorëzuar pesë kërkesa, atëherë çfarë kërkon kryeministri atje vetëm për t’u fotografuar? Paramendoni, samit BE-Ballkani Perëndimor kur i gjithë rajoni, ne para së gjithash, nuk kemi progres, vetëm të fotografohemi”, tha Pendarovski në intervistën e djeshme për TV24.

Presidenti thotë se nënçmime të tilla çfarë kemi pasur këto dy vite nga Bullgaria nuk i kemi përjetuar për 20 vite negociata me Greqinë.

Tre liderët e vendeve të përfshira në Ballkanin e Hapur, Dimitr Kovaçevski, Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama, paralajmëruan se pas konsultimeve të ndërsjella nesër do të vendosin nëse do të shkojnë në Bruksel.