Studentët kërkojnë që “Pallati i Bardhë” i VMRO-së të kthehet në konvikt
Gjykata Themelore Penale në Shkup dje në vendimin e gjykimit të rastit “Talir 2” vendosi që objekti i njohur si “Pallati i Bardhë” i partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM të konfiskohet.
Menjëherë pas lajmin të konfiskimit, ditën e sotme studentë nga Kuvendi studentor universitar i Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, kanë dalë me një propozim për shfrytëzimin e pronës së konfiskuar.
Në njoftimin e tyre për publikun, kërkohet që kjo pronë e OBRM-PDUKM-së, të kthehet në konvikt për studentët.
“Studentëve ju takon luksi të cilin politikanët tanë tashmë e kanë shijuar në mënyrë të pamerituar! Ky është një shans për të korrigjuar shpenzimet e gabuara të parave. Studentëve nuk ju duhen llambadarët e as pikturat e kristalta, na duhen tualete me dyer që mbyllen, tavane pa myk dhe mure me izolim”, thuhet në njoftimin e studentëve.
Në komunikatë thuhet se presin dhe partitë tjera të ndajnë mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje dhe të përkrahin idenë e studentëve.