Rajoni

Çmimet e naftës pa ndërhyrjen e qeverisë, nis sërish shtrenjtimi

Shpërndaje

Çmimi i naftës ka filluar të shtrenjtohet sërish, vetëm disa ditë pasi Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë njoftoi se më nuk do të caktojë tavanin e çmimeve, ashtu siç bëri për një muaj rresht.

Ndonëse kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha sot për Paparacin se çmimet e naftës në Kosovë të premten kanë qenë 1.67 euro për litër, në një pikë të karburanteve çmimi është ekspozuar me rritje deri në katër cent më shumë.

Në një pikë të karburanteve në Prishtinë, çmimi i një litri naftë po shitet 1 euro e 71 centë.

Ditën e fundit kur MINT-i kishte caktuar tavanin e çmimeve (24 korrik), nafta shitej 1 euro e 69 centë.

Atë ditë, Ministria kishte thënë se “masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal”.