Sveçla: Gjithçka gati për regjistrimin e mjeteve me targa RKS

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të automjeteve me targa RKS.

Këtë deklaratë ai e ka bërë sot, gjatë një takimi që ka zhvilluar me të gjithë koordinatorët e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve, në prag të fillimit të regjistrimit të mjeteve nga targat ilegale në ato RKS.

“Takimi ka pasur për qëllim njoftimin për përgatitjet e fundit që është duke i bërë Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me këtë proces, ku u theksua se tashmë gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit të mjeteve me targa RKS”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë.

Sveçla thuhet se ofroi mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë, më qëllim të realizimit të këtij objektivi, “që është në të mirë të të gjithë qytetarëve, sepse përmirëson sigurinë në trafik, ulë numrin e veturave pa regjistrim dhe përmirëson sigurinë në përgjithësi”.

Nga fundi i javës së kaluar, MPB ka filluar fushatën informuese duke njoftuar qytetarët se nga dita 1 gusht deri më 30 shtator 2022 do të fillojë procesi i regjistrimit të targave ilegale në RKS në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve.

Gjatë kësaj periudhe qytetarët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga shumë lehtësira për kthimin e automjeteve në targat e regjistrimit RKS.