RajoniTop Lajme

Prokuroria: Radoiçiq mund të ketë hyrë në Kosovë, ta ketë bërë videon dhe të ketë dalë

Shpërndaje

Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, është shfaqur nga Veriu i Kosovës, ku përmes një video mesazhi ka thënë se terrori ndaj popullit serb sapo ka filluar.

Radoiçiq ka hyrë lirshëm në Kosovë edhe pse ndaj tij është ende në fuqi një urdhërarrest për rasitn ‘Brezovica’.

Për këtë Policia e Kosovës duhet ta arrestojë, nëse ai gjendet ende në territorin e Kosovës.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, teksa konfirmon se urdhërarresti ndaj Radoiçiqit lidhur me rastin “Brezovica” është ende në fuqi.

Por, Maloku shpreh dyshime për kohën kur është realizuar kjo video.

“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mundur të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë u takon rrugëve të Qeverisë që t’i verifikojnë ato të dhëna”, thotë Maloku.

Autoritetet në Kosovë këtë vit kanë lëshuar një urdhërarrest për Radioiçiqin pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”, përkatësisht për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale”.

Milan Radoiçiq kishte arritur që t’iu ikte zyrtarëve policorë kosovarë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut në veri të Kosovës. Policia atëbotë deklaroi se më 3 shkurt, Radoiçiqit i kishin kërkuar që të parkonte veturën, në mënyrë që të kryheshin kontrollet policore, por ai ishte larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Lidhur me këtë ngjarje, tre zyrtarë policorë të Kosovës ishin suspenduar nga puna.

Maloku thotë se nuk beson që Radoiçiqi mund të hyjë në Kosovë përmes pikëkalimeve të rregullta kufitare, por vetëm përmes rrugëve ilegale.