Zelenskyy përshëndet marrëveshjen për eksportin e drithërave
Presidenti i Ukrainës përshëndeti marrëveshjen e nënshkruar të premten në Istanbul për të lejuar kalimin e sigurt të drithit dhe ushqimit përmes tre porteve ukrainase të Detit të Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Volodymyr Zelenskyy tha në një video-fjalim drejtuar vendit të tij se ai është mirënjohës ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për përpjekjet e tyre për ta bërë të mundur marrëveshjen.
“Rreth 20 milionë tonë të drithërave të vitit të kaluar do të eksportohen”, tha Zelenskyy.
“Dhe gjithashtu do të jetë e mundur të shiten të korrat e këtij viti, dhe ato tashmë po korren. Këto janë të ardhurat e fermerëve, të gjithë sektorit bujqësor dhe buxhetit shtetëror. Këto janë vende pune”, shtoi ai.
Ukraina ka drith në vlerë prej rreth 10 miliardë dollarësh, sipas Zelenskyy-t.
Ndërsa përshëndeti marrëveshjen historike të ndërmjetësuar nga Türkiye dhe OKB-ja, ai tha se është një shans për të reduktuar ashpërsinë e krizës globale të ushqimit.
“Gjithçka në ujërat territoriale të Ukrainës do të kontrollohet nga shteti ynë”, tha ai, duke vënë në dukje se marrëveshja “përputhet plotësisht” me interesat e Ukrainës.
“Rusia mund të përfshihet në provokime, të përpiqet të diskreditojë përpjekjet ukrainase dhe ndërkombëtare. Por ne i besojmë Kombeve të Bashkuara. Tani është përgjegjësia e tyre dhe përgjegjësia e partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar respektimin e marrëveshjeve”, shtoi ai.
Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen për të rifilluar eksportet e grurit të Ukrainës në Detin e Zi, me Türkiye-n dhe OKB-në si bashkëgarantues.
Marrëveshja erdhi pasi u arrit një ujdi e përgjithshme midis palëve mbi një plan të udhëhequr nga OKB-ja gjatë bisedimeve të 13 korrikut në Istanbul për të formuar një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrje dhe dalje të porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.