BotaKurioziteteTop Lajme

Angli, fillon të thahet burimi i lumit Thames (Foto)

Shpërndaje

Burimi i lumit Thames në Angli po thahet për shkak të motit të nxehtë dhe thatësirës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas “The Guardian”, drejtori i Politikave dhe Shkencës i “The Rivers Trust”, Dr. Rob Collins, tha se burimi i lumit është zhvendosur 8 kilometra në rrjedhën e poshtme nga Cirencester në Somerford Keynes, për shkak të thatësirës intensive në të gjithë vendin.

“Pas një periudhe të gjatë të motit të thatë, burimi i Thames në Gloucestershire është duke u tharë dhe aktualisht vetëm një rrjedhë e dobët mund të shihet më shumë se 8 kilometra në drejtim të rrjedhës”, tha Collins.

Duke theksuar se temperaturat pritet të rriten në vend në javët e ardhshme, Collins paralajmëroi se Anglia duhet të jetë gati për periudha më të gjata thatësire për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Në ndryshimin e kushteve klimatike, me rritjen e konkurrencës për një burim në pakësim dhe efektet shkatërruese në jetën ujore, ne mund të parashikojmë që frekuenca dhe ashpërsia e periudhave të tilla të thatësirës dhe mungesës së ujit do të intensifikohen”, tha Collins.

“Thames Water” paralajmëron londinezët për ‘ndalimin e zorrëve të ujit’

“Thames Water”, kompania më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar e shërbimeve të ujit dhe ujërave të zeza, njoftoi më 4 gusht se klientët mund të detyrohen të zbatojnë një “ndalim të zorrëve të ujit” (kufizim zyrtar në përdorimin e zorrëve të ujit gjatë mungesës së ujit të vendosur nga një kompani e veçantë uji) në Londër në javët e ardhshme për shkak të mungesës së reshjeve.

“Thames Water” njoftoi se kërkesa kishte arritur nivelin më të lartë në 25 vjet për shkak të thatësirës, ndërsa nivelet e ujërave nëntokësore ranë nën mesataren për herë të parë këtë vit.

“South East Water”, një tjetër furnizues i ujit të pijshëm në Mbretërinë e Bashkuar, është bërë gjithashtu furnizuesi i dytë që ka shpallur një ndalim të “zorrëve të ujit” dhe “ujitjes” për klientët në Kent dhe Sussex, i cili do të hyjë në fuqi nga 12 gushti.

Korriku i këtij viti ishte korriku më i thatë për Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 1935, dhe më i thati i regjistruar për Anglinë lindore, Anglinë juglindore dhe jugore, sipas statistikave të Shërbimit Meteorologjik të Mbretërisë së Bashkuar (Met Office).