Anija ukrainase me 6 mijë ton grurë mbërrin në Portin e Durrësit
Një anije ukrainase me grurë është ankoruar në Portin e Durrësit rreth orës 09:20 të mëngjesit të sotëm.
Anija “Jaohar Ranim” lundroi drejt portit të Durrësit me një sasi prej 6 mijë tonësh grurë të ardhur për llogari të një kompanie mielli në Tiranë.
Mjeti lundrues është nisur më 28 korrik nga porti në Izmail dhe pritej të mbërrijë më 10 gusht në Durrës.
Javën e kaluar u njoftua nga autoritetet turke për një tjetër anije të nisur nga Odesa drejt Libanit më 1 gusht, por anija “Jaohar Ranim” e ka çelur e para siparin e lëvizjeve, pas sulmeve që nisën nga Rusia në shkurt të këtij viti. Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra.
Drejt Durrësit është nisur dhe një anije e ngarkuar në Rusi me ure për bujqësinë. Ajo e ka nisur lundrimin nga porti rus Novorossiysk. Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit.