“Frankfurter Allgemeine Zeitung” për Kurtin: Këmbëngulës dhe i vendosur
“Këmbëngulës dhe i vendosur”. Ky është titulli i gazetës së madhe gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kushtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke përshkruar më pas edhe zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës.
Në portretin që i bën Kurtit, gazetari Michael Martens, korrespodent i kësaj gazete për Evropën Juglindore me vendqëndrim në Vjenë të Austrisë,ai e fillon artikullin me vitin 1975, kur ka lindur kryeministri kosovar.
“Kosova ishte ende pjesë e Serbisë dhe Serbia ishte pjesë e Jugosllavisë. Rinia e Kurtit u formësua nga rënia e shtetit jugosllav dhe lufta kundër politikës së aparteidit serb në Kosovë”, nis përshkrimin e Kurtit, gazetari gjerman.
Ai më tej shpjegon se gjatë luftës së NATO-s kundër Jugosllavisë, e cila përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1999, Kurti u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg për arsye të dobëta, përfshirë terrorizmin.
Gazetari rikujton se pas autokratit Sllobodan Millosheviq, që vdiq në burg në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë, pas tij erdhi në në opozita demokratike që u mblodh rreth kandidatit të kompromisit nacionalist Vojislav Koshtunica. Megjithatë, Kurti kishte mbetur në burg.
“Ai u lirua vetëm pas presionit ndërkombëtar”, rikujton Martinez.
“Kam qenë në burg një vit e pesë muaj në kohën e Millosheviqit dhe një vit e dy muaj në kohën e Koshtunicës. Pra, Koshtunica është tre muaj më mirë se Millosheviqi”, citohet të ketë thënë Kurti në këtë intervistë për F.A.Z, duke përshkruar atë situatë në mënyrë sarkastike.
Gazeta rikujton se pas tërheqjes së trupave serbe nga Kosova në qershor të vitit 1999, Kurti gjeti shpejt një objektiv të ri: ai kërkonte që administrata e fuqishme e përkohshme e Kombeve të Bashkuara që sipas tij, ishte një autoritet neo-kolonial, që duhej shfuqizuar.
Më tej, gazeta gjermane rikujton se nga viti 2021, Kurti, të cilin e cilëson edhe si veteran të politikës, është kryeministër i Kosovës, por jo për herë të parë.
F.A.Z risjellë në vëmendje mandatin e parë të Kurtit në këtë pozotë por që përfundoi shpejt për shkak të mospajtimeve mbi menaxhimin e pandemisë, ndonëse në fakt, shpjegon gazetari Martinez, Kurti u rrëzua si pasojë e intrigave të Richard Grenellit, të dërguarit amerikan për Ballkan të presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Martinez shkruan se një ndër motot më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kurtit është “reciprociteti”.
Ai shpjegon se në raport me Serbinë ky politikan mbron imperativin kategorik – Kosova, sipas tij, në çdo aspekt duhet ta trajtojë njëjtë Serbinë ashtu siç e trajton Serbia Kosovën. Tensionet e fundit në kufirin kosovaro-serb kanë të bëjnë edhe me këtë.
Kurti dëshiron që autoritetet e Kosovës të mos i pranojnë më dokumentet serbe të identifikimit për shkak se edhe Serbia nuk i pranon ato kosovare.
“Nën presionin e amerikanëve Kurti e shtyu për një muaj zbatimin e masës. Më së voni në shtator në kufi sërish mund të ngrihet temperatura”, nënvizon “FAZ”.
(Përkthyer dhe përmbledhur nga Jeton Musliu / RTKlive.com)