Maqedoni

Një vit më parë dasmori blinte ari në vlerë prej 15 mijë eurosh, ja sa ka rënë blerja sivjet

Shpërndaje

Ardhja e mërgimtarëve, nuk është aspak e frytshme sikurse vitet e shkuara, thonë zejtarët e Çarshisë së Tetovës, shkruan Alsat.

Sipas tyre shtrenjtim e ka bërë të veten, sidomos rritja e çmimit të arit.

Ata thonë se nëse një vit më parë dasmori blinte ari në vlerë prej 15 mijë eurosh, sivjet blen deri 40 për qind më pak.

“Mërgimtarët faleminderit Zotit që i kemi dhe që kanë ardhur, por qyteti nga mërgimtarët ndjen një krizë nuk është si vitet tjera. 30-40 për qind është më dobët, pra është shtrejtimi i çmimeve, e sidomos i arit pastaj edhe gjitha të tjerave që sivjet janë më shtrenjtë. Një myshteri që për djalin e parë vitin e shkuar ka bërë qystek gjerdan etjera për 15 000 euro, sivjet nuk i bën dot ato sepse kanë hyp çmimet, kjo është ajo që e bën 30 – 40 për qind më dobët sivjet”, tha Mensur Arifi, kryetar i zejtarëve të Çarshisë së Tetovës.

“Mendoj se edhe mërgimtarët janë të prekur nga ajo krizë ekonomike. Shihet se nuk është si vitet e shkuara ekonomia, por gjithsesi se nuk mund të themi se është si përpara kur nuk janë mërgimtarët këtu. Prapë se prapë ka një lëvizje më të madhe, por në krahasim me vitin e shkuar kemi 40 – 50 për qind më pak qarkullim”, u shpreh një pronar biznesi.

Ndërkohë mërgimtarët që takuam në qytet thonë se nuk është ulur interesimi për të blerë, por çmimet janë më shtrenjtë se në perëndim.

“Ofertat duken se janë më të shtrenjta se jashtë. Ndoshta atje si marrim vesh se rrogat pak më të mëdha por shohim se eurot harxhohen shumë shpejtë”, tha një mergimtar.

Gazetari: Sa duhet të ketë një mërgimtar për një dasmë vetëm për t`ia filluar?

“Varet, nga dhjetë deri në 20 000 euro, por edhe ato s`mjaftojnë”, u shpreh ai.

Në sezonin e dasmave lëvizje më të madhe ka nëpër artari dhe dyqane të fustaneve./ Alsat.mk