Bota

Presidenti Biden nënshkruan ligjin mbi klimën, kujdesin shëndetësor, taksat dhe inflacionin

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi të enjten më 16 gusht një projektligj prej rreth 740 miliardë dollarësh që synon të luftojë ndryshimet klimatike, të rrisë taksat mbi korporatat e mëdha dhe të zgjerojë mbulimin për kujdesin shëndetësor.

Projektligji, i quajtur “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, është një arritje e madhe legjislative për demokratët ku përfshihet paketa më e madhe klimatike në historinë e SHBA-së dhe bëhet menjëherë një nga elementët kyç të presidencës së tij dyvjeçare.

Ajo kaloi në votim si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senatin javën e kaluar me mbështetjen e çdo demokrati por të asnjë republikani.

Në këtë paketë përfshihen masa të dizajnuara për të mbështetur alternativat e energjisë me emetim të ulët dhe për të ulur emetimet e gazrave serrë, si dhe për të ulur çmimet e barnave me recetë dhe për të rritur taksat ndaj korporatave dhe të pasurve.

Legjislacioni do të mbledhë rreth 700 miliardë dollarë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave dhe kursimeve të barnave me recetë, dhe do të shpenzojë rreth 400 miliardë dollarë për energjinë e pastër dhe dispozitat e kujdesit shëndetësor.

Biden u kthye shkurtimisht nga pushimet për të nënshkruar projektligjin, i cili u miratua sipas linjave partiake pa asnjë mbështetje nga republikanët e opozitës.

“Ky projekt-ligj është hapi më i madh përpara për të luftuar ndryshimet klimatike,” tha ai në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë.

Kritikët republikanë kanë sulmuar shumë elementë të projektligjit, duke pohuar se shpenzimet e tij do të përshpejtojnë inflacionin në vend që ta frenojnë atë./REL