Ministrja shqiptare e Arsimit: Abetarja e përbashkët i fshin kufijtë Shqipëri-Kosovë
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me rastin e përurimit të abetares së përbashkët me Kosovën, tha se ajo do të fshijë kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas saj, ndonëse të gjithë ishin skeptikë që mund të realizohej për tetë muaj, arritën që ta jetësojnë abetaren.
“Unë besoj se një ndër punët më të bukura që kemi bërë, mes të gjithë punëve tjera, është kjo abetare. Fëmijët tanë do të mësojnë me tekstin e njëjtë të gjuhës së bukur shqipe. Shumë njerëz ishin skeptikë që brenda 8 muajsh do ta realizonim një abetare të re, por ja që kur ka vullnet dhe bashkëpunim të mirë, asgjë nuk është e pamundur”, tha Kushi.
“Një abetare jo vetëm e re, por edhe më cilësore. Kjo abetare nuk është vetëm libri i parë, por kjo abetare do të fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë – sepse jemi një komb, kemi një gjuhë”.
“Gjuha shqipe do të mësohet tani në Universitetin e Harvardit. Sfida për ta ruajtur gjuhën shqipe, në një kohë kur gjuhët e huaja janë bërë të domosdoshme për shkollim Dhe punë, është sfidë e të gjithë ne mësuesve. Kjo sfidë fillon që në klasë të parë me abetare”./eo/