Samiti Bërdo-Brioni thirrje BE-së: Liberalizoni vizat Kosovës

Shpërndaje

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat.

Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.

Përveç Pahorit, nikoqir i takimit, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

******

Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e presidentëve të rajonit në procesin Bërdo-Brione në Slloveni

Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e presidentëve të rajonit në procesin Bërdo-Brione në SlloveniPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit do të marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.

Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović.