Vuçiqi krahason takimin e tij me Ramën me atë të Titos me Enver Hoxhën

Shpërndaje

Presidenti serb, Aleksandart Vuçiq, ka kujtuar një takim të Josip Broz Titos me Enver Hoxhën, duke e krahasuar me atë të tijin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, tash 70 vjet më pas.

Në samitin për “Ballkanin e Hapur” në Beograd, Vuçiq tha se takimi i atëhershëm Tito-Hoxha ishte i tensionuar, por se sot me Ramën takimet i ka miqësore.

“Marrëdhëniet tona në Ballkanin Perëndimor midis tri vendeve tona janë në maksimumin e tyre historik. Më kujtohet takimi i parë, tash pas 70 vjetësh, pas takimit të Titos dhe Enver Hoxhës, u takuam unë dhe Edi Rama. Ishte një takim me energji të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike kurse sot këto takime janë miqësore. Bizneset, qytetarët tanë e kuptojnë shumë më shumë njëri-tjetrin”, tha Vuçiq.

Ndërsa, Rama në fjalën e tij tha se po dëgjon “një gjuhë të çuditshme” në këtë samit, kurse paralajmëroi për kujdes kur në prani janë diplomatë të huaj që mund ta kuptojnë këtë gjuhë.“Jam shumë i lumtur ta shoh përballë ambasadorin Christopher Hill i cili si të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon di edhe gjuhën e tij edhe gjuhën tonë. Prandaj kur flisni në prani të tyre, bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm anglisht por edhe ku flasim në gjuhën tonë”.