Aksion: Rinia e Bogovinës mbjell lule në rrugët e shkatërruara nga Komuna (Video)
Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Bogovinës realizuan një aksion senzibilizues për të rikujtuar opinionin, por edhe udhëheqësit e Komunës për një problem serioz që ua vështirëson përditshmërinë qytetarëve.
Për më shumë se 7 muaj, rrugët e fshatit Bogovinë qëndrojnë të shkatërruara, përplot me gropa dhe në shumë vende edhe të pakalueshme. Kjo gjendje ka irrituar banorët e fshatit, revoltën e të cilëve të rinjtë e ASH-së, sot e manifestuan me një aksion simbolik, duke mbjellur lule në gropat e lëna hapur nga udhëheqësia aktuale e BDI-së, në Komunën e Bogovinës.
Shprehim keqardhje që BDI po e degradon një nga komunat e pakta që ka pasur cilësi, rend dhe suksese ashtu siç ka degraduar komunat e tjera që udhëhiqen nga “Agjenda e qelbur”.
Kujtojmë se nën udhëheqjen e Albon Xhemailit, Komuna e Bogovinës miratoi projektin për ndërtimin e kanalizimit në fshatin Bogovinë, siguroi mjetet dhe filloi projektin. Por me ndërrimin e pushtetit lokal dhe ardhjen e BDI-së, fillimisht ky projekt u devalvua dhe u realizua në mënyrë jocilësore. Pas përfundimit të punimeve, rrugët mbetën të hapura, të dëmtuara dhe tani e 7 muaj nuk bëhet asnjë hap për sanimin dhe asfaltimin e tyre.
Sigurojmë opinionin se Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet maksimalisht për të penguar degradimin e mëtejmë të vendbanimeve tona, ndërsa me rikthimin tonë në pushtet do t’ia rikthejmë Bogovinës dinjitetin që ndërtoi në katër vitet paraprake.