Dështoi premtimi i Ejup Rustemit për hapjen e pjesshme të autostradës për në Ohër
Kaloi edhe kjo e hënë dhe asgjë nga premtimet e drejtorit të Ndërmarrjes Publike, Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi, për autostradën Ohër-Kërçovë, e cila ka tetë vite që po ndërtohet, shkruan Alsat.
Ai saktësisht një javë më parë paralajmëroi se rruga nga Trebenishta për në Ohër do të lëshohej sot, por kjo nuk ndodhi.
“Po të shkojmë tani atje, do të shohim se po punohet në të gjithë trasenë. Tashmë i kemi zgjidhur problemet administrative që kishim, dhe të hënën e ardhshme do të vihet në përdorim pjesa nga Trebenishta deri në Ohër”, tha Ejup Rustemi-Drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
Ky nuk është njoftimi i parë i këtij lloji që nuk realizohet. Rustemi dhe ministri i Transportit, Blagoj Boçvarski, në maj të këtij viti premtuan se deri në fillim të gushtit do të përfundojë dhe do të vihet në shfrytëzim korsia e djathtë nga Trebenishta për në Ohër, kurse e majta deri në fund të vitit.
Në kontrollin e sotëm të autostradës, pjesa Ohër-Kërçovë, me ministrin konstatuam se janë realizuar diku 95% e trasesë. Pjesa më e madhe e projekteve infrastrukturore tashmë janë miratuar”, u shpreh Ejup Rustemi-Drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”.
Qytetarët janë të zhgënjyer nga mungesa e seriozitetit të institucioneve.
“Do të bëhet,, do të bëhet.” Do ta lëshojnë. Do ta lëshojnë, do ta lëshojnë…! Vozisin shumë keq, shumë vështirë, sepse kanë dalë deri në vetë asfaltin. Kjo rrugë nuk mund ta lëshohet të paktën edhe gjashtë muaj të tjera. Deri ku do të lëshohet? Këtë urë e ndërtojnë sot”, tha një qytetar.
“Kjo është katastrofë. Nuk e di sa vite ndërtohet. Nuk kam fjalë. Unë nuk e kam parë këtë ende”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Kjo nuk është autostradë. Katastrofë. Çfarë të them tjetër?”, theksoi një qytetar.
VMRO-DPMNE akuzon Qeverinë e LSDM-së, se me vite nuk po arrin ta përfundojë autostradën.
“…Nga këtu shihet se nuk kanë as kapacitet, as vizion, as plan për zhvillimin e shtetit. Me këtë qeveri jopopullore dhe tradhtare, fatkeqësisht ka viktima njerëzore, ngecje, dinamikë të ngadaltë dhe kosto të shtuara, gjoba dhe para të shpërdoruara, vetëm autostrada nuk gjendet askund”, tha Gracia Bakraçeska-VMRO DPMNE.
Ndryshe, javën e kaluar Rustemi u arsyetua se shkak për vonesën e punimeve ishte moti, duke premtuar se me përmirësimin e motit do të intensifikohen edhe aktivitetet ndërtimore.
Me këto dhe premtime të ngjashme për përfundimin e autostradës kanë kaluar tetë vjet./ Alsat.mk – Miki Trajkovski