RajoniTop Lajme

Hapet tërësisht pista e Aeroportit të Vlorës (Video)

Shpërndaje

Ka përfunduar faza e parë e punimeve të pistës në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije sot se është shtruar shtresa e parë e pistës, ndërsa vijojnë punimet për dy shtresat e tjera. Pista 3.2 kilometra është hapur krejtësisht, ndërsa punimet vijojnë ende për rrethimin e të gjithë sipërfaqes së aeroportit.

Në vitin 2023 pritet të nisë puna për ndërtimin e godinës, ndërsa kulla e vrojtimit, rreth 40 metra e lartë do të jetë ajo që do të marrë formë e para. Po vitin tjetër do të nisë puna edhe për ndërtimin e terminalit me sipërfaqe 1800 metra katrorë. Fluturimi i parë në aeroportin e Vlorës pritet të bëhet në vitin 2025.

Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.

Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike. Fitues për ndërtimin e tij u shpall konsorcium kompanish të themeluara në Zvicër, ku pjesa më e madhe e aksioneve 50% zotërohet nga Mabetex, kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe 48% nga YDA Group firma që po ndërtoi Spitalin e Fierit me bazë në Ankara dhe 2% nga 2A group.

Konsorciumi fitues ofroi një vlerë investimi prej 103.9 milionë Eurosh dhe do të ketë operimin për 35 vjet të pistës së aeroportit. Aeroporti i Vlorës do të jetë edhe baza për flotën e avionëve Air Albania, ndërsa për herë të parë aty do të ketë një zonë të veçantë për mirëmbajtjen e avionëve, një shërbim i ri i kërkuar nga kompani të huaja, i cili do të përkthehet në të ardhura dhe vende pune shtesë për zonën.