Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it: Kosova në NATO do t’i kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon
Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç’rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.
Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë.
Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.
Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.
Sipas presidentes, ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse.