RajoniTop Lajme

Sekuestrohen rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Shpërndaje

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se janë sekuestruar përkohësisht rreth 100 objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Brezovica”, nis identifikimi dhe sekuestrimi i vilave

Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, sot ka filluar sekuestrimi i rreth 100 objekteve, në rastin e njohur në publik si “Brezovica”.

Lajmin për kallxo e ka konfirmuar prokurori i rastit, Rasim Maloku.

Ai ka bërë të ditur se sekuestrimi i objekteve po bëhet në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri.

Dosja Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.

Dosja ngrit dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mito nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.