BE njofton paketë për mbështetje energjetike prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor

Shpërndaje

Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar një paketë për mbështetje energjetike prej 1 miliard eurosh për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përballen me krizën spirale të energjisë në Evropë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dje, në një samit në Berlin për përshpejtimin e integrimit të rajonit me BE-në, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja vazhdon të “qëndrojë prapa” Ballkanit Perëndimor si në kohë të mira ashtu edhe në kohë të vështira.

“Sot ne po bashkojmë një paketë të mbështetjes për energjinë prej 1 miliard eurosh për të mbrojtur grupet më të cenueshme dhe për të nxitur investimet e nevojshme në diversifikimin e energjisë. Ne po investojmë në strukturën ekonomike të rajonit për ta avancuar në tranzicionin e energjisë së pastër dhe për ta bërë më të gjelbër, më të fuqishme dhe më të qëndrueshme nga kriza aktuale”, tha von der Leyen.

Për të ndihmuar në adresimin e efekteve të menjëhershme të krizës aktuale të energjisë dhe për të ndërtuar elasticitet në afat të shkurtër dhe të mesëm, Komisioni i BE-së është i gatshëm të ofrojë mbështetje buxhetore prej 500 milionë euro në një masë që do të miratohet në muajin dhjetor dhe që do të zbatohet në muajin janar.

BE-ja synon të mbështesë familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të zbutur rritjen e çmimit të energjisë dhe ndikimin e saj.

Në periudhën afatshkurte dhe afatmesme, Komisioni i BE-së planifikon të sigurojë 500 milionë eurot e tjera për të nxitur diversifikimin e energjisë, prodhimin e energjisë së rinovueshme, si dhe ndërlidhjet e gazit dhe energjisë elektrike përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, një nismë e BE-së.

“Ndihma afatmesme në 2-3 vitet e ardhshme do të përfshijë investime të tjera që kontribuojnë në tranzicionin dhe sigurinë energjetike. Këto masa do të mbulojnë projektet e prodhimit të energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë, në përmirësimin e sistemeve të transmetimit të energjisë, ngrohjes qendrore dhe skemave për efiçiencën e energjisë për blloqet pallateve të vjetra”, njoftoi Komisioni i BE-së.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili gjithashtu mori pjesë në samit, tha se blloku evropian qëndron me Ballkanin Perëndimor në trajtimin e pasojave më të gjera të luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përdorimit të energjisë nga Moska si armë.

“Fjalët kyçe për muajt në vijim janë qëndrueshmëria, stabiliteti dhe pajtimi”, tha Borrell.

Dje gjatë samitit në Berlin të organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tre marrëveshje për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe bashkëpunimin më të ngushtë rajonal mes tyre.

“Sot, më shumë se kurrë, bashkëpunimi rajonal, rritja e stabilitetit dhe avancimi i pajtimit mbeten kyçe për përballimin e këtyre sfidave. Progresi në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal në të gjitha dimensionet e tij është vendimtar për afrimin e rajonit me BE-në. BE dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të ndërtojnë një komunitet të qëndrueshëm bazuar në parime të përbashkëta, me qëllim për të reduktuar ekspozimin e vendeve tona ndaj kërcënimeve kundër paqes dhe sigurisë”, tha Borrell.

Marrëveshjet e nënshkruara nga vendet e Ballkanit Perëndimor do t’u mundësojnë qytetarëve të këtyre vendeve të kalojnë kufijtë ndërmjet tyre vetëm me letërnjoftime. Vendet do të njohin edhe kualifikimet universitare të njëri-tjetrit dhe kualifikimet profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Marrëveshje e ngjashme u nënshkrua edhe në muajin shtator nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, për të zhvilluar marrëdhëniet në kuadër të nismës “Ballkani i hapur”.