Elon Musk e rikthen llogarinë e Donald Trump në Twitter
Elon Musk e ka rikthyer llogarinë e Donald Trump në Twitter pasi përdoruesit në platformën e mediave sociale votuan me një shumicë të ngushtë për heqjen e ndalimit ndaj ish-presidentit amerikan.
Llogaria e Trump u pezullua në vitin 2021 pas trazirave në “Kapitol Hill” të 6 janarit, për shkelje të udhëzimeve të Twitter-it dhe për shkak të rrezikut të “nxitjes së mëtejshme të dhunës”.
Llogaria dukej se ishte në një lidhje të drejtpërdrejt të dielën, megjithëse ish-presidenti nuk kishte postuar ende për më shumë se 80 milionë përdorues që e ndiqnin.
Tweet-i i tij i fundit ishte më 8 janar 2021, në të cilin ai deklaroi se nuk do të merrte pjesë në inaugurimin e Joe Biden, si presidenti i 46-të i SHBA-së.
Trump nuk dukej i prirur të kthehej në Twitter kur e diskutoi këtë çështje të shtunën.
“Unë nuk shoh ndonjë arsye për këtë” – tha ish-presidenti përmes videos kur u pyet për këtë nga një panel në takimin vjetor të lidershipit të Koalicionit Republikan Hebre.
Ai tha se do të qëndrojë me platformën e tij të re Truth Social, e zhvilluar nga startup-i i tij Trump Media and Technology Group.
Javën e kaluar, Trump e bëri publike kandidaturën e tij për nominimin presidencial republikan në vitin 2024 dhe e lavdëroi Elon Musk, duke thënë se e kishte pëlqyer gjithmonë.
Megjithatë, Trump tha gjithashtu se Twitter-i vuante nga bots dhe llogari të rreme dhe se problemet me të cilat përballej ishin “të pabesueshme”.
Musk, pronari i ri i Twitter-it, e bëri publik njoftimin e tij pas një sondazhi në llogarinë e tij, në të cilin u dhanë më shumë se 15 milionë vota, me 51.8% në favor të rikthimit të llogarisë së Trump./The Guardian