HOXHA: Unifikim mbarë shqiptar për heqjen e “20%” dhe vendosjen e gjuhës shqipe në kushtetutë
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Lëvizja BESA në vazhdimësi ka dëshmuar maturinë politike në momente shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve të saj. Më lejoni që të rikujtojmë disa nga momentet kyçe që Lëvizja BESA ka dëshmuar se kur bëhet fjalë për interesin e përgjithshëm, kemi qenë të gatshëm te tejkalojmë vetveten dhe të vihemi në shërbim të interesit të qytetarëve, sidomos shqiptarëve në vend.
Paraqitja e Lëvizjes BESA në skenën politike i dha fund armiqësisë shumë vjeçare mes subjekteve shqiptare si dhe imponoi qasje serioze në politikbërje me paraqitjen e saj në skenën politike. Me angazhimin maksimal të Lëvizjes BESA, arritëm që me ndryshimet e fundit kushtetuese të avansojmë të drejtat e shqiptarëve, duke futur diasporën shqiptare si kategori kushtetuese dhe përmes antarësimit të vendit në NATO e betonuam të ardhmen euro-atlantike të shtetit.
Duke qenë konzistent në qendrimet tona politike, rikujtojmë se në ndryshimet e fundit kushtetuese, nga pozicioni jonë opozitar së bashku me qeverinë u dakorduam se mbetën çështje ende të hapura që në ndryshimin e rradhës së kushtetutës do duhet të zgjidhen, dhe ja tani po afrohet pikërisht ai moment.
Prandaj, në frymën e interesit mbi partiak dhe duke u nisur nga fakti se gjitha partitë parlamentare shqiptare janë nënshkruese të Deklaratës së përbashkët politike si dhe mekanizmit politik për unifikim të qendrimeve që është Tryeza e partive politike, sot në emër të kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjitha partive politike shqiptare do t’u dergojmë ftesë për një takim të përbashkët, ku do diskutohet avancimi i të drejtave juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nga dita e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët.
Poashtu, në këtë takim propozojmë të diskutohet edhe ndërtimi i një qendrimi të përbashkët i faktorit politik shqiptar në vend rreth ndryshimeve kushtetuese që do duhet të ndodhin dhe ndërmarjes së hapave konkrete se si të heqim nga Kushtetuta termin nënçmues “20%” dhe të njëjtin ta zavendësojmë me termin “gjuha shqipe.”
Urojmë që kjo iniciativë fisnike nga ana e Lëvizjes BESA të pranohet pozitivisht nga subjektet e tjera politike shqiptare. Shprehim edhe njëherë qendrimin tonë se për çështje kaq të rëndësishme të gjithë të tejkalojmë vetveten dhe të realizojmë pritshmëritë e shqiptarëve në vend.
Tash është koha që të gjithë të heqim dorë nga bajraktarizmat dhe të vëmë prioritet mbi prioritetet interesin tonë kombëtar dhe të bëjmë krenar çdo shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ju faleminderit.
Arjanit Hoxha, zëvendëskryetar i Lëvizjes BESA.