Integristët debatuan rreth 12 orë në Tetovë/ Ahmeti: Në demokraci lejohen mendimet ndryshe, por jo edhe anarki
BDI edhe këtë fundjavë mori vëmendjen e opinionit me vazhdimin mbledhjes konstituive të përbërjes së re të Kryesisë qendrore të partisë. Të shtunën në ora 14:00 integristët arritën te selia në Reçicë të Vogël.
Artan Grubi sërish në stilin e tij foli për motin.
Mendoj që do të jetë ditë e mirë, ashtu siç ishte herën e kaluar.
G: Pse nuk i përgjigjeni pyetjeve të gazetarëve, por flisni për motin?
Shihe, ju pyetni unë përgjigjem. Në qoftë se dëshironi të jap përgjigjen të cilën ju e prisni…
G: Ju nuk jeni meteorolog?
Jo, por edhe unë si të gjithë e shijoj ditën.
Nëse në mbledhjen e parë atmosfera ishte shumë e nxehtë dhe flitej për shkarkime dhe për atë se kush do të qesh më mirë, i pari apo i fundit, kësaj radhe integristët dukeshin më të relaksuar.
“Jo nuk është kryesia në atë temë që të bëjë vlerësime të emërimeve ose shkarkimeve është debat dhe analizë për punën e të zgjedhurve dhe punën e partisë në përgjithësi përfshi edhe aktualitet.”- tha Bujar Osmani – BDI.
Të gjithë u futën brenda, ndërsa Musa Xhaferi erdhi i fundit. Mbledhja filloi dhe pritej që si zakonisht ajo të zgjatë deri në mesnatë.
Në fakt ajo përfundoi në ora 1:30 pas mesnate, kur edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti doli para mediave.
“Janë dëgjuar vërejtje nga të gjithë anëtarët e kryesisë mbi raportin e ekzekutivit. Ato të cilat vërejtje janë argumentuese pranohen, që të përmirësohet puna dhe të realizohet programi zgjedhor.”- tha Ali Ahmeti – lider i BDI-së.
I pyetur për përplasjet brenda grupeve në partinë e tij, Ahmeti u përgjigj:
“As mos pretendoni të ndalen debatet në BDI debati apo mendimet ndryshe. Unë jam njëri nga ata që nuk do të pajtohesha nëse mendimi ndryshe të ngulfatet, por në fund duhet të respektohet mendimi i shumicës. Edhe demokracia ka kufijtë e vet, do të thotë se anarkia nuk lejohet në demokraci, lejohet demokraci, por jo anarki”- shtoi Ali Ahmeti.
Ahmeti theksoi se këto takime janë në vazhdën e takimeve të BDI-së, sepse siç shtoi këto takime kanë qenë tradicionale në partinë e tij, por kishin pauzuar për shkak të pandemisë nga virusi korona.