Barrikadë e re në Mitrovicë të veriut, pamundësohet lëvizja e lirë edhe në qytet

Shpërndaje

Një barrikadë e re prej tre kamionësh është vendosur mëngjesin e sotëm tek udhëkryqi afër shkollës teknike, në veri të Mitrovicës, raporton KosovaPress.

Kjo është barrikada e parë e vendosur në qytet, ndërsa e 12-ta prej datës 10 dhjetor kur bandat kriminale serbe vendosën barrikadat e para.

Pengesa e re pamundëson lëvizjen e lirë në qytet, ndërsa deri më tash të bllokuara ishin rrugët magjistrale.

Që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Të hënën është mbajtur edhe takimi i Këshillit të Sigurisë, ku u bë e ditur se është theksuar nevoja e rivendosjes së lirisë së lëvizjes në veri të vendit.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

Ndërsa të dielën e 25 dhjetorit bankat kriminale serbe kanë shtënë në afërsi të një patrulle të KFOR-it në Zubin Potok, ndërsa dje (e hënë) kanë sulmuar edhe një ekip të një mediumi, ku disa nga ta morën edhe trajtim mjekësor.

Serbët vendosin edhe një tjetër barrikadë, bllokojnë qarkullimin për në Zveçan

Edhe një barrikadë tjetër e përbërë prej dy kamionëve të mbushur me zhavorr është vendosur sot rreth orës 8:00 të mëngjesit në rrugën magjistrale Mitrovicë – Zveçan, pak përtej vendit të quajtur “Kërshi i Dudës”.

Serbët përmes kësaj barrikade, e 13-ta me radhë që nga 10 dhjetori, kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve për në Zveçan, që deri dje ishte i mundur.

KosovaPress raporton se vërehet numër i shtuar i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në të gjitha pikat ku kanë qenë të vendosura deri tash, ndërsa edhe automjetet e KFOR-it kanë shtuar lëvizjet e tyre në këto zona.