RajoniTop Lajme

Kurti: Kriminelët dhe rusofilët me maska do të dështojnë, Republika e Kosovës do të fitojë

Shpërndaje

Pas situatës së tensionuar që u krijua në pikëkalimet kufitare Jarinjë e Bërnjak, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili thotë se Kosova nuk dëshiron konflikt, por paqe dhe progres. Megjithatë, Kurti thotë se agresionit do t’i përgjigjen me të gjitha fuqitë që ka Kosova.

Kurti përmes një shkrimi në Facebook tha se nëse këto veprime nuk dënohen nga BE-ja dhe ShBA’të, atëherë kjo do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Postimi i plotë:

Ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion. Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së.

Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së.

Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës).

Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi.

Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.