Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në afërsi të Ujmanit, iu kundërpërgjigjet

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka njoftuar se grupet kriminale që kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të Kosovës, kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës, në afërsi të Liqenit të Ujmanit, raporton Gazeta10.

Në njoftim bëhet e ditur se ka pasur tri raste kur kanë shtënë me armë.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut”, thuhet në njoftimin e policisë.

Bëhet e ditur se njësitet policore i janë kundërpërgjigjur atyre me armë zjarri, të cilët më pas kanë ikur në drejtim të panjohur.

“Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”.

Më tej, bëhet e ditur se nuk ka ndonjë informatë zyrtare për ndonjë person të lënduar apo për dëme të shkaktuara.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara”, thuhet tutje. / Gazeta10