ArgëtimBota

“Mos ndrysho veten, ndrysho lojën”, iraniania me hixhab mahnit me talentin e saj në Katar

Shpërndaje

Një grua iraniane e lindur në Danimakë me aftësi në futbollin e lirë, një lloj futbolli që kombinon lojrat me top, akrobacitë dhe muzikën, është kthyer në sensacion në rrjetin Tik-Tok dhe në skenën e Kupës së Botës.

Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Iacopo Luzi bisedoi me interpretuesen e talentuar Mayami Asgari, e cila ndodhet në Katar për kampionatin botëror.

Kampionati Botëror i Katarit nuk është vetëm një garë futbollistike. Është edhe një ngjarje kulturore me njerëz nga vende e kultura të ndryshme.

Mayami Asgari është një prej tyre. Gruaja iraniane e lindur në Danimakë me aftësi në futbollin e lirë, një lloj futbolli që kombinon lojrat me top, akrobacitë dhe muzikën, ka shkuar në Katar jo vetëm për të parë ndeshjet, por edhe për të treguar aftësitë e saj. 24 vjeçarja mban xhihab, diçka që ajo thotë se për të ka shumë rëndësi. Në të njëjtën kohë ajo po sfidon mënyrën si perceptohen sportistet myslimane.

“Mos ndrysho veten, ndrysho lojën. Është shumë e rëndësishme. Jam rritur në një vend ku kam qenë pakicë. Shoqet e mia ishin daneze, por unë s’kisha pse të bëhesha si ato. Nuk kisha pse të ndryshoja pamjen time dhe t’i lyeja flokët e verdha që t’u ngjaja atyre”, thotë ajo.

Pasioni i Asgarit për futbollin nisi qëkurse ajo ishte fëmijë. Lojrat e saj me këmbë dhe akrobacitë e ndryshme kanë tërhequr vëmendjen e shumë personave në internet, ajo ka thuajse gjysmë milionë ndjekësish në Tik-Tok. Videot e saj janë parë nga miliona njerëz dhe kanë marrë miliona pëlqime.

Popullariteti i saj në rrjetet sociale bëri që organizatorët e Kampionatit Botëror ta ftonin në Katar, ku ajo jep shfaqje në rrugët e Dohas, për admiruesit e saj. Ajo thotë se i duhet ende kohë të mësohet me famën që ka tanimë në internet.

“Duhet të mësohem ende me këtë ide. Nuk e di. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Është një ndjesi e çuditshme. Por më pëlqen”, thotë ajo.

Asgari shpreson që arritjet e saj do të ndihmojnë në zhdukjen e paragjykimeve për gratë myslimane:

“Ishte shumë e vështirë për mua, isha vetëm, me ndjesinë e askush nuk mund të më kuptonte. Por tani kam shtruar një rrugë që mund t’u shërbejë brezave të rinj. Vajzat e reja tanimë mund të mendojnë se dikush tjetër njësoj si ne, ka kaluar të njëjtën dhimbje dhe nëse ajo ia ka dalë mbanë, mund t’ia dalim edhe ne”.

Shoqja e saj, Dalia Diraoui thotë se pavarësisht sfidave, Asgari ia ka dalë të ketë sukses falë dedikimit të saj.

“Mendoj se meriton atë që ka arritur sepse ka punuar fort. Më kujtohet kur ishim të vogla, ajo stërvitej çdo ditë para pallatit tonë”, thotë Dalia.

Asgari ka takuar tashmë disa yje futbolli, por ëndërron të sfidojë disa lojtarë në një ndeshje.

“Mendoj se i pari prej tyre është Ronaldinho, sepse ai është legjenda e trukeve. Dhe pastaj ndoshta Neymar. Edhe ai është i mrekullueshëm. Por ai është më i ri. E kam ndjekur Ronaldinhon kur ishte fëmijë, pastaj nuk e pashë më. Dhe pastaj ndoshta Cristiano Ronaldo. Më pëlqen vetëbesimi i tij”, thotë ajo.

Mesazhi i Asgarit është i qartë. Pavarësisht nga raca, gjinia apo feja, çdokush mund të luajë futboll dhe ta shijojë atë./VOA