Fshati i braktisur nga mungesa e kushteve

Shpërndaje

Vetëm një dekadë më parë, gjithandej fshatit Cërni Vërv të Komunës së Studeniçanit dëgjohej zhurma e fëmijëve duke lozur dhe bisedat e burrave për tema të ndryshme. Sot, rrugët e fshatit janë të boshatisura ndërsa shiu i vjeshtës ka mbyllyr në shtëpi edhe ato pak banorë që kishin mbetur. Të vetmit që takuam në fshat po punonin në ndërtimin dhe rikonstruimin e shtëpive që tashmë i quajnë shtëpi fundjave.

“Për 20 vjet ikën të gjithë. Kanë mbet shumë pak shtëpi, nuk e di nëse kanë mbetur 10 shtëpi. Mungonin të gjitha gjërat, rruga mungonte, s’kishte jetë të mirë se të gjithë me kafshë merrëeshin, ra malli, ra kapitali, u shpërngulën. Patjetër e patën me lëshu fshatin, në dimër nuk kishte kush me të ndihmu, për nji injeksion vdiste fëmija”, tha një banor.

“Edhe unë kam ble vend poshtë, vet nuk rrihet këtu, si të rrish, nëse sëmuresh ku do shkosh, patjetër edhe unë të shpërngulem”, shtoi një banor.

Tash me çka po merreni derisa jeni këtu, a ke mbjell diçka?

“Asgjë, vetëm ndihmën sociale që e marr, tjetër asgjë. Sikur që po e shihni vet, as rrugë e asgjë, transport nuk kemi që të zbresim poshtë”, u shpreh një banor.

Banorët thonë se fshati Vërni Vërv dallohet për nga bukuritë natyrore dhe ajëri i pastër. Pikërisht për këtë të fundit shumë banorë detyrohen të rikthehen në fshat me qëllim që të shërohen.

“Gruan e kam pak të sëmurë, e mbaj në ajër të pastër, vetëm për ajër, për dimër nuk bën”, theksoi një banor tjetër.

Për dimrit pse nuk bën?

“Nuk bën se nuk ka rrugë, nuk ka udhëtarë, nuk ka transport, duhet me e lut dikë që të më dërgoj deri poshtë sepse gruaja nuk ka ilaçe, nuk ka terapi. Ikin se larg, shumë largësi, kushtet, s’kanë çfarë të bëjnë këtu, punë nuk ka, të gjithë ikin”, shtoi banori.

Nefail Bilalli, përgjegjës i shkollës periferike “Alija Avdoviç” thotë se ndër shkaqet kryesore të shpërnguljes ishte edhe martesa. Siç tha ai, ky fshat ka gjallërinë vetëm gjatë pushimeve verore kur për pushime vijnë mërgimtarët.

“Verës po, vijnë gurbetçarët, ka gjallëri edhe pse janë të shpërngulur në Batincë, në gjitha pjesët e Shkupit por vendlindja nuk harrohet, është vend me bukuri të mira, me klimë të mirë por për jetesë është nji javë, dy javë, një muaj edhe prap shkojnë në mërgim. Ambulantë nuk ka dhe në fillim kjo ishte arsyeja pastaj martesa”, tha Nefail Bilalli.

Sipas banorëve, fshati Cërni Vërv i Komunës së Studeniçanit dikur numëronte mbi 120 shtëpi të banuara me rreth 900 banorë. Sot, numri i shtëpive të banuara është vetëm 7, banorët e të cilëve nga dita në ditë mendojnë shpërnguljen në një fshat ose qytet tjetër./Alsat.mk