Një “kuti-ryshfeti” me 15 mijë euro është gjetur në Tabanoc
Nëntë policë janë arrestuar, përfshirë komandantin dhe zëvendëskomandantin e pikës kufitare Tabanoc. Ky është epilogu i aksionit të mbrëmshëm që policia kreu në bashkëpunim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Krahas pikës kufitare, kabinave të kontrollit dhe identifikimit të pasagjerëve dhe dollapëve personalë të policëve, kontrolle ka pasur edhe në banesat e tyre. Të gjithë të dyshuarit janë arrestuar.
Ministria e Brendshme nuk jep shumë informacion, e Prokuroria edhe më pak. Nuk dihet se çfarë materialesh janë marrë, por jozyrtarisht thuhet se policia ka gjetur një kuti me para në vlerë prej 15 mijë eurosh në valuta të ndryshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot në takim me gazetarë tha se veprat për të cilat dyshohet se policët janë “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “mitmarrje”. Nuk ka informacion nëse grupi ka qenë i organizuar në një strukturë dhe nëse të gjithë dyshohen për krime të veçanta.
Gjatë aksionit, policia bllokoi përkohësisht pikën kufitare me Serbinë, duke krijuar kaos dhe revoltë tek pasagjerët të cilët tashmë prisnin me orë të tëra për të hyrë në Maqedoni.
Pika kufitare është kthyer në funksion vetëm dy orë pasi policia është tërhequr së bashku me njësinë speciale.