Skandaloze, BE vërejtje Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut që nuk i kanë vënë viza Kosovës
Komisioni Europian sot ka prezantuar raportin e pestë mbi monitorimin e regjimit pa viza nga Bashkimi Europian me Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si dhe me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Në raport konstatohet se të gjitha vendet në fjalë vazhdojnë të përmbushin kërkesat për liberalizimin e vizave dhe kanë bërë progres në adresimin e rekomandimeve të vitit të kaluar, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, raporti që fokusohet në veprimet e ndërmarra për adresimin e rekomandimeve të bëra nga Komisioni në raportin e katërt të vitit të kaluar për të siguruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave, për vendet e caktuara ka edhe disa vërejtje.
Një vërejtje i është bërë Maqedonisë së Veriut që s’i ka përshtatur politikat e vizave me atë të BE-së, duke ia lejuar hyrjen edhe shtetasve të Kosovës.
“Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë veprime në vitin 2021 për të harmonizuar më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së. Shtetasit e vendeve të mëposhtme, të cilëve u kërkohet viza për hyrje në BE, gëzojnë ende qasje pa viza në Maqedoninë e Veriut: Azerbajxhan, Botswana, Kubë, El Salvador, Kosovë* dhe Turqi”.
Për më tepër, KE thekson se Maqedonia e Veriut duhet të ketë vëmendje të shtuar për këtë kërkesë në lidhje me “vendet e treta”.
“Çdo devijim i mëtejshëm nga lista e BE-së për vendet që u kërkohen viza duhet të shmanget. Maqedonia e Veriut duhet të sigurojë përparim në përafrimin e politikës së saj me listën e BE-së, veçanërisht në lidhje me ato vende të treta që paraqesin migrim të parregullt ose rreziqe të sigurisë për BE-në. Kjo do të jetë një temë e rëndësishme e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave dhe në përputhje me nenin 8 të Rregullores për viza, Komisioni do të monitorojë dhe vlerësojë vazhdimisht veprimin e Maqedonisë së Veriut drejt harmonizimit të vizave me BE-në”, thuhet në raport.
Po të njëjtën vërejtje nga Komisioni Europian e ka marrë edhe Mali i Zi që lejon qytetarët fqinjë të Kosovës të hyjnë pa viza “krejt vitin”.
“Mali i Zi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të harmonizuar politikën e tij mbi vizat me listën e vendeve që u kërkohen viza nga BE-ja. Përkundrazi, në vitin 2021 dhe në fillim të vitit 2022, Mali i Zi u zhvendos më tej nga politika e rekomanduar. Shtetasit nga Armenia, Kazakistani, Rusia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Ekuadori, Turqia, Katari dhe Kosova* vazhdojnë të përjashtohen nga kërkesat për viza për qëndrim të shkurtër. Për disa nacionalitete, përjashtimet janë sezonale dhe – për të tjera – ato janë të vlefshme gjatë gjithë vitit”.
Ndër shqetësimet e KE-së është edhe migracioni që vjen nga vendet e Ballkanit Perëndimor që janë të përjashtuara nga regjimi i vizave.
“Të gjitha vendet vazhduan të merrnin masa për të adresuar migracionin e parregullt. Megjithatë, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme”.
KE thotë se përafrimi me politikën e vizave të BE-së është thelbësore për funksionimin e mirë të regjimit pa viza me BE-në.
“Mungesa e harmonizimit me politikën e vizave të BE-së mund të çojë në rritjen e ardhjeve të parregullta dhe duhet të trajtohet si një çështje prioritare në të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor”.
Ndërkaq, në anën tjetër, Procesi i Berlinit i bën jehonë lëvizjes së lirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në samitin e fundit, të mbajtur në Berlin, u nënshkrua marrëveshja që qytetarët e gjashtë vendeve të mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime, e cila nënkuptoi edhe lëvizjen e lirë mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës, të cilëve iu desh viza për udhëtim./Gazeta Express/