Fjala e plotë e Presidentit Meta në nderim të Bujar Nishanit: I peshonte fjala, besoi deri në fund tek demokracia dhe interesi kombëtar

Shpërndaje

Mes të tjerash, Meta u shpreh se Bujar Nishani “e shihte politikën si artin e së mundshmes, dhe besonte se ajo ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime pozitive. Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor! Këtë bindje e dëshmoi më së miri edhe në drejtimin e ministrive shumë të rëndësishme, si Rendi dhe Drejtësia.

Presidentit Nishani i peshonte fjala! Ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit, dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte”.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës SH.T.Z Ilir Meta në ceremoninë shtetërore të lamtumirës në nderim të ish-Presidentit, Bujar Nishani. Më 2 qershor 2022:

🇦🇱 Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj sot, për të nderuar dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
Fundi i papritur dhe i parakohshëm i jetës, le plot pengje për mundësitë e humbura, për ato që nuk u thanë dhe për ato, që nuk u bënë dot.
Ndaj dhembja për humbjen e pakohë të njerëzve të shtrenjtë dhe të rrallë e bën të vështirë gjetjen e fjalëve që mund t’i kurojnë këto plagë njerëzore.
Por na ngushëllon fakti që Bujar Nishani pati një jetë plot maja realizimesh dhe përjetimesh fatlume.
Ai ishte i rrethuar nga dashuria e familjes së prindërve, dhe asaj që krijoi më pas së bashku me Odetën si një bashkëshort i devotshëm, dhe baba shembullor i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Ersi dhe Fiona.
Për Presidentin Bujar Nishani këto ditë ka patur vlerësime mëse të merituara nga shumë personalitete të jetës politike dhe publike në Shqipëri dhe përtej.
Kanë folur bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirësit, homologët, dhe kolegët nga i gjithë spektri politik.
Mbi të gjitha kanë folur shqiptarët, kanë folur edhe miqtë e Shqipërisë.
I ardhur në politikë nga Forcat e Armatosura, Presidenti Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve tanë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai mishëroi integritetin, ndjenjën e lartë të detyrës dhe patriotizmin.
Bujar Nishani e shihte politikën si artin e së mundshmes, dhe besonte se ajo ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime pozitive.
Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor! Këtë bindje e dëshmoi më së miri edhe në drejtimin e ministrive shumë të rëndësishme, si Rendi dhe Drejtësia.
Presidentit Nishani i peshonte fjala!
I njohur për maturinë dhe vetëpërmbajtjen, ai çmohej për thjeshtësinë dhe përulësinë në komunikimin publik e njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshueshme gjatë gjithë jetës.
Ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit, dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte.
Si Kryetar i Shtetit, Bujar Nishani, punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës.
Ai ishte i vendosur dhe i angazhuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës, dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve tanë.
Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare në vend, dhe në çdo rast ju përkushtua interesit të Shqipërisë dhe kombit tonë.
Bujar Nishani besoi deri në fund tek demokracia, e mira publike dhe sidomos interesi kombëtar.
Si President i zgjedhur në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, ai i mishëroi këto parime duke imponuar respekt tek të gjithë kolegët e burrështetasit e huaj, tek bashkëpunëtorët e tij, por edhe tek kundërshtarët politikë.
Bujar Nishani ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën, të cilën e shfaqte plot krenari dhe mbeshteti fort njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në shërbim të stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Nishani pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë faktorin politik shqiptar në rajon.
Ai diti të vendosë dhe të ruajë shumë mirë ekuilibrat mes marrëdhënieve institucionale dhe atyre vëllazërore.
Presidenti Nishani punoi me devocion për projektet strategjike të integrimit europian dhe euro-atlantik të Shqipërisë, për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për bashkëpunimin gjithëpërfshirës me të gjitha vendet e rajonit dhe me vende e të tjera mike në botë.
Ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarët në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur gjithmonë të vërtetat dhe prioritetet, që i shërbenin interesit publik dhe atij kombëtar.
Sot në ditën e lamtumirës, ne e falenderojmë Presidentin Nishani, për modelin që ai solli si shtetar, politikan, familjar dhe qytetar shembullor.
I paharruar qoftë kujtimi i Presidentit Bujar Nishani!