Skandaloze: Studentë italianë mësojnë për “krimet e UÇK’së në shtëpinë e verdhë”
Në lëndën Gjeopolitika dhe Krimi i organizuar në vitin e dytë të masterit, studentëve të Universitetit të Milanos, iu ligjërohet se si “UÇK ishte organizatë kriminale që gjatë luftës është marrë me trafikim organesh“.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua për të luftuar për lirinë e vendit. Dhe me këtë mision, ushtarët e saj nisën dhe përfunduan luftën për çlirimin e Kosovës.
Por në Universitetin i Milanos, studentët e vitit të dytë të masterit në shkenca politike mësojnë një të pavërtetë të madhe për UÇK-në.
Atyre në lëndën Gjeopolitika dhe krimi i organizuar iu ligjërohet se si “UÇK ishte organizatë kriminale që gjatë luftës ishte marrë me trafikim organesh”.
Në librin Mafia Globale, ndikuar nga pretendimet e raportit të Dick Martyt, përmendet “shtëpia e verdhë”.
Në këtë libër shkruan se në këtë shtëpi merreshin organe të trupit nga qyetarë serbë dhe shqiptarë dhe shiteshin.
Ndonëse këto pretendime janë hedhur poshtë, studentët mësojnë të pavërteta.
“Në fakt, guerilët kryen vrasje dhe tortura të të burgosurve serbe dhe shqiptarë. Dhe në Shtëpinë e Verdhë, një fermë nën kontrollin e tyre në Shqipëri, qindra të burgosur u deportuan për të marrë organet e tyre për klinikat kirurgjike evropiane”, thuhet në këtë libër.
Pastaj krerët e kësaj guerilje, që libri i quan kriminale, thuhet se u bënë liderë të shtetit.
“Disa u shndërruan në politikanë të rëndësishëm si Hashim Thaçi, kreu i UÇK-së, i cili u bë kryeministër i Kosovës së vogël, apo Ramush Haradinaj, një eksponent i shquar i guerilës, lider i partisë AAK. Thaçi më pas u akuzua në raportin e Martit, të hartuar nga Këshilli Evropian në vitin 2010, për trafik armësh drogë dhe tregti klandestine të organeve”, thuhet tutje në këtë libër.
Student në Universitetin ku mësohet kundër UÇK-së, është edhe Leonard Simoni nga Kosova.
Ai për T7, tregon se si e përjetoi ligjeratën kur para 300 studentëve po flitej kundër UÇK-së.
“Në fakt më befasoi nuk mundesha të besoj se po thuhej një gjë e tillë”, ka deklaruar Simoni.
Simoni menjëherë u mundua ta demantojë një gjë të tillë tek kolegët e tij.
“Ata që kisha afër dhe me ata që komunikoj iu kam treguar se kjo është një gënjeshtër”, ka deklaruar ai.
Ky fakt ka shqetësuar partinë e cila në Kosovë, po organizon edhe protestë kundër Gjykatës Speciale.
“Duhet të definohet se me çka merret Gjykata Speciale, edhe me tregu që kjo është hedhur poshtë, edhe mos të vazhdohet të ndryshohet historia sepse me specialen po ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Zgjim Hyseni nga PSD.
Ideja për krijimin e Gjykatës Speciale, nisi mbi pretendimet se UÇK-ja ka kryer tregti me organe, por më pas kjo u hodh poshtë, ndërkohë Gjykata megjithatë u themelua.