Taravari takon transportuesit privat, kërkon problemi i tyre të zgjidhet sa më shpejtë

Shpërndaje

Partia politike Aleanca për shqiptarët u jep mbështetje transportuesve privat të cilët tashmë disa ditë po protestojnë me bllokadë të rrugëve në Shkup, duke kërkuar pagesë të borxhit që e kërkojnë nga Qyteti i Shkupit dhe NPQ. Sipas u.d. kryetar i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, është e domosdoshme të gjendet zgjidhje për këtë problem.

Taravari konsideron se Qeveria duhet të angazhohet më seriozisht, sepse siç tha, bëhet fjalë për më shumë se 500 familje të cilët tashmë disa ditës protestojnë.

“Jemi të shqetësuar për gjendjen. Bëhet fjalë për mbi 500 familje të cilët tashmë disa ditë protestojnë me bllokim të rrugëve. Kjo nuk është zgjidhje. Është bllokuar kryeqyteti i shtetit. Më shqetëson ajo që kryetarja e qytetit nuk komunikon fare me ta, ndërkaq duhet të gjendet zgjidhje. Unë dakordohem me një propozim që e dhanë, eventualisht edhe t’i merren ingerencat dhe Qeveria të angazhohet pak më seriozisht në këtë drejtim. Nuk ka kuptim pesë muaj të mos paguhen dhe të vijë deri te kjo gjendje dhe të mos ulet dhe të bisedohet me ta”, deklaroi Taravari i cili sot u takua me transportuesit privat.

Ai theksoi se ndjen përgjegjësi për shkak se kanë pasur bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, parti e cila e mbështeti kandidaturën e Danella Arsovskës për kryetare të Qytetit. Shtoi se me Arsovskën nuk kanë komunikim që nga qershori i këtij viti.

“Sinqerisht edhe unë ndjej një lloj përgjegjësie sepse edhe ne kishim bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, ne nuk e njohim Arsovskën. Ajo ishte kandidate e pavarur që e mori mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, ndërsa më pas na mbështeti në Çair, Tetovë, Gostivar dhe Strugë. Por, kjo që po ndodhë është katastrofike. Ajo tani është në koalicion publik apo të fshehtë me BDI-në, tashmë ka emëruar dy drejtorë nga BDI”, shtoi Taravari.